Skënder Hita porosi ‘Rrugores’: Mos ndaloni automjete pa shkak!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi sot një seri takimesh me strukturat kryesore të policisë rrugore dhe sigurisë publike, ku theksoi nevojën për rritjen e standardeve të sigurisë dhe disiplinës në terren.
Në këto takime morën pjesë efektivë të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike, si dhe drejtues të rendit në qarqe dhe shefa të sektorëve të qarkullimit rrugor.
Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat, duke vendosur theksin te parandalimi i abuzimeve dhe rritja e efikasitetit në monitorimin e trafikut. Ai u shpreh qartë se ndalimi i automjeteve pa një arsye të fortë në akset nacionale duhet të marrë fund.
Sipas tij, kontrolli duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia, përmes përdorimit të poliskanit, radarëve të shpejtësisë dhe dronëve. Ai kërkoi gjithashtu që çdo masë administrative e vendosur nëpërmjet këtyre mjeteve të reflektohet në sistem brenda të njëjtës ditë.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte kontrolli rigoroz në zonat urbane. Drejtori i Policisë kërkoi masa konkrete për ndëshkimin e parkimeve të gabuara, manovrave të rrezikshme, zhurmave nga automjetet me marmita të modifikuara, si dhe drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit.
Në përfundim, ai theksoi rëndësinë e përgatitjes për sezonin turistik dhe garantimin e sigurisë rrugore pranë shkollave, duke kërkuar vigjilencë të shtuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



