Si nisi sherri? Zbardhen detaje nga vrasja në Memaliaj
Janë zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 21 prillit 2026 në Memaliaj, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria e Gjirokastër, viktimë mbeti shtetasi E. G., ndërsa i plagosur është D. N., 25 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga janë vënë D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Gjithashtu është arrestuar edhe E. M., 41 vjeç, për pengim të zbardhjes së së vërtetës.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qëlluar për vdekje viktimën dhe më pas janë larguar nga vendngjarja me automjet.
Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka nisur si një konflikt i çastit mes disa personave, i cili ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Fillimisht, dyshohet se viktima E. G. ka qëlluar dhe ka plagosur shtetasin D. N., 25 vjeç. Më pas, vëllezërit e këtij të fundit janë kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur E. G., i cili ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjete, motomjete dhe celularë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia vijon operacionin për kapjen e autorëve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



