E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Pentito’ Spiropali: Shqipëria nuk ndryshon duke lakmuar botën
Lajme

‘Pentito’ Spiropali: Shqipëria nuk ndryshon duke lakmuar botën

Pas largimit nga posti ministror, Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh me tone reflektuese dhe simbolike, duke vënë theksin tek roli i të rinjve që rikthehen në Shqipëri pas studimeve jashtë vendit.

Deklarata e saj erdhi pas një aktiviteti të organizuar nga ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, ku në fokus ishin studentët shqiptarë të diplomuar në universitetet më të mira të Mbretërisë së Bashkuar.

Spiropali e cilësoi fenomenin e kthimit të të rinjve si një ndër zhvillimet më domethënëse dhe shpresëdhënëse për vendin. Sipas saj, këta të rinj nuk rikthehen për arsye detyrimi, por të shtyrë nga një ndjenjë e fortë përgjegjësie qytetare dhe përkushtimi ndaj Shqipërisë.

Ajo theksoi se përvoja dhe standardet që ata sjellin nga jashtë përbëjnë një pasuri të vyer për shoqërinë shqiptare, duke i cilësuar si një urë lidhëse mes realitetit aktual dhe aspiratës për një zhvillim më të avancuar.

Në mesazhin e saj, Spiropali nënvizoi se progresi nuk ndërtohet mbi retorikë, por mbi kontribut konkret dhe meritë, duke vlerësuar rolin e atyre që zgjedhin të ndërtojnë jetën dhe karrierën në vendin e tyre.

“Shqipëria nuk ndryshon duke lakmuar botën, por kur shqiptarët kthehen për ta ndërtuar atë”, shprehet ajo, duke e përmbledhur thelbin e mesazhit të saj në një thirrje për angazhim dhe vetëdije kombëtare.

Ish-ministrja ndau gjithashtu reflektime personale mbi sfidat e kthimit, duke theksuar se kjo zgjedhje nuk është gjithmonë më e lehta, por mbetet një akt që lidhet me një qëllim më të madh se vetja.

Sipas saj, të rinjtë e formuar jashtë vendit janë bartës të një standardi që institucionet shqiptare duhet ta njohin dhe ta mbështesin më shumë, duke i konsideruar ata si motorë të zhvillimit dhe “luftëtarë të meritës”.

Reagimi i plotë:

Në pritjen e Ambasadorit britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, pashë dhe u preka nga dukuria më kuptimplote dhe më shpresëdhënëse që nuk e evidentojmë dhe nuk e shpërblejmë sa meriton: Shqiptarët që ikin, studiojnë, dhe nuk harrojnë. Shqiptarët që kthehen.

Të rinjtë pjesë e programit Chevening kanë studiuar në universitetet më të mira britanike. Kanë prekur standardet më të larta të dijes dhe të jetës akademike. Megjithatë, kanë zgjedhur të kthehen.

Jo për detyrim. Por për një ndjenjë të lartë kuptimi human, detyrimi intelektual, përgjegjësie qytetare, besimi atdhetar, që edhe pse nuk mësohen në libra dhe nuk janë të shprehura, aq më pak të detyruara, nga asnjë kod apo kanun, janë gurët e themelit të një qytetërimi si i yni në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit.

E njoh këtë rrugë. E kam kaluar vetë. E di që kthimi nuk është gjithmonë zgjedhja më e lehtë, as rruga më e favorshme. Por është shtegu që të lidh me diçka më të lartë e më të madhe se vetja: Tërësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët, mes një mijë vështirësish punojnë e lodhen, përparojnë e ëndërrojnë.

Këta të rinj nuk janë thjesht përfitues të një burse, apo shembuj të gjallë të një vullneti pozitiv. Janë bartës të një standardi që Shqipëria institucionale duhet ta konsiderojë më nga afër, ta njohë më thellë, ta përkrahë si e meriton. Janë ura mes epokave të zhvillimit tonë, asaj që duam dhe asaj që mundemi, asaj që kemi qenë, asaj që jemi dhe asaj që mund të bëhemi, dhe do bëhemi. Këta bashkë me shumë e shumë shqiptarë që kanë qëndruar këtu, e shumë që ia kanë dalë në botë, janë luftëtarët e meritës.

Shpresa dhe rezultatet reale të progresit tonë, nuk vijnë nga fjalimet, ligjëratat, deklaratat, muhabetet. Vijnë nga merita. Vijnë edhe nga këto kthime. Nga këta njerëz që vendosin të punojnë e ndërtojnë këtu ku vijnë, me dijet që morën atje ku ikën.

Shqipëria nuk ndryshon duke lakmuar botën.
Shqipëria ndryshon e përparon kur shqiptarët me ndjeshmëri, vizion, guxim, vetëdijë kombëtare, kthehen nga bota për të ndërtuar Shqipërinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.