Mashtrime dhe akuza të rënda, nisin hetimet për Qemal Dedjan
Një hetim penal në gjendje të lirë është regjistruar ndaj 57-vjeçarit Qemal Dedja, i cili dyshohet për shkelje të rënda në sektorin e ndërtimit dhe për mashtrim ndaj qytetarëve. Sipas informacioneve, ai ka vijuar punimet për ndërtimin e një pallati edhe pse leja përkatëse ishte pezulluar, duke vepruar në kundërshtim me vendimet e autoriteteve.
Përtej vijimit të paligjshëm të punimeve, hetimet kanë ngritur dyshime edhe për veprimtari mashtruese. Dyshohet se Dedja ka falsifikuar nënshkrime qytetarësh për të formalizuar kontrata shitblerjeje për apartamente në këtë objekt, i cili në fakt nuk dispononte një leje të vlefshme ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët për hetimin e krimeve ekonomike-financiare kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit me inicialet Q. D., 57 vjeç. Ai akuzohet se subjekti që administron ka vijuar ndërtimin në kundërshtim me pezullimin e lejes, si dhe se ka mashtruar qytetarë përmes falsifikimit të nënshkrimeve për lidhjen e kontratave të shitjes së apartamenteve.
Qemal Dedja rezulton një emër i njohur në industrinë e ndërtimit, me një aktivitet të gjerë biznesi. Ai figuron si pronar apo i lidhur me një sërë kompanish që operojnë në ndërtim objektesh banimi, rikonstruksione dhe furnizim me materiale ndërtimi. Mes tyre përmenden “DEJA MARBLEUS”, “MATERIA ELITE STONE”, “DEJA WATER” dhe “OLSTRON COMPANY”.

Po ashtu, Dedja është administrator i kompanisë “Materia Cons.Al”, e themeluar në vitin 2015, e cila ka financuar ndërtimin e 21 pallateve, komplekse vilash dhe projekte infrastrukturore në qytete si Tirana, Vlora, Durrësi dhe Kavaja. Një tjetër kompani e lidhur me të është “MATERIA CONS 01”, e krijuar më 9 nëntor 2019, e cila ka realizuar ndërtimin e “Vlora Beach Tower” si dhe disa objekteve të tjera rezidenciale në Vlorë.

Emri i tij është përmendur edhe më herët në kronikat e policisë. Më 3 gusht 2012, Dedja mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti për ndarjen e përfitimeve nga disa projekte ndërtimi në Vlorë dhe Tiranë. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit dhe pallatit të sportit në Vlorë, ku si pasojë e përplasjes u plagosën edhe Krenar Cena, Hiqmet Çobaj dhe Përparim Molla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



