SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, kontrolle në banesat e familjarëve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar veprimet hetimore në çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e dyshuar për abuzime me tendera rrugësh me vlerë qindra miliona euro.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, me autorizim gjykate janë zhvilluar të paktën 15 kontrolle në ambiente të ndryshme, si pjesë e një faze të re të hetimeve. Kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te persona të përfshirë drejtpërdrejt, por kanë përfshirë edhe individë të afërt familjarisht me ish-zyrtaren, në funksion të verifikimit të pasurive dhe rrjedhës së mundshme të fondeve.
Gjithashtu mësohet se është ushtruar kontroll edhe në banesën e Mired Recit, i afërm i Ballukut, si dhe në ambiente të tjera që lidhen me persona të dyshuar për lidhje me çështjen. Hetimet janë shtrirë edhe në aktivitetin ekonomik të subjekteve ku ai rezulton bashkëpronar, konkretisht në shoqëritë “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk, ku aksioner është edhe Meland Qirko, familjar i afërt i ish-zëvendëskryeministres.
Gjatë kontrolleve të fundit, të cilat pasojnë operacionet e zhvilluara në fund të vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumentacion që, sipas hetuesve, mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar. Paralelisht, SPAK ka nisur procedura bashkëpunimi me autoritete të huaja përmes letërporosive, duke kërkuar të dhëna shtesë mbi transaksione apo lidhje të mundshme jashtë territorit shqiptar.
Ndaj Ballukut rëndojnë akuza që lidhen me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërkohë që ajo po hetohet edhe për disa lote të projektit të Unazës së Madhe në Tiranë, investime këto me vlera të konsiderueshme financiare. Aktualisht, ndaj saj janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike.
Më herët, shumica parlamentare rrëzoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj. Megjithatë, zhvillimet e fundit dhe zgjerimi i hetimeve mund të ndikojnë në hapat e mëtejshëm që pritet të ndërmarrë organi i akuzës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



