Skënder Hita ‘zbarkon’ në Korçë, zbardhen porositë për strukturat
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune në qytetin e Korçës, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë, ku morën pjesë drejtuesit kryesorë të kësaj strukture, si dhe shefat e komisariateve dhe sektorëve përkatës.
Gjatë mbledhjes, e cila zgjati rreth një orë, u analizuan në detaje një sërë çështjesh që lidhen me situatën e rendit dhe sigurisë në territor. Burime për mediat bëjnë me dije se fokusi kryesor i diskutimeve ishte forcimi i masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Në veçanti, drejtori Hita ka kërkuar intensifikimin e punës për identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturave përkatëse.
Një tjetër prioritet i ngritur gjatë takimit ishte evidentimi dhe ndjekja e individëve të përfshirë në grupe kriminale, me qëllim parandalimin e aktivitetit të tyre dhe rritjen e sigurisë publike.
Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të armëmbajtjes pa leje. Në këtë aspekt, u kërkua rritja e kontrolleve në terren, me fokus të posaçëm institucionet arsimore dhe zonat me ndjeshmëri të lartë, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



