Kontroll i befasishëm në burgun e VIP-ave në Durrës
Gjenden tre “iPhone” dhe kufje me bluetooth
Një kontroll i befasishëm i zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Burgun e Durrësit ka zbuluar praninë e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të institucionit.
Aksioni, i ndërmarrë në orët e para të mëngjesit dhe i mbështetur nga strukturat operative dhe Forcat Speciale, u realizua pas një analize të detajuar të riskut dhe në zbatim të urdhrit përkatës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucionit, u sekuestruan tre celularë tip “iPhone”, të gjithë të ndezur dhe funksionalë. Njëri prej tyre u gjet në posedim të të paraburgosurit me iniciale B.G., ndërsa dy të tjerë, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan pa autorë në ambiente të ndryshme të burgut.
Menjëherë pas konstatimit, autoritetet ndërmorën veprimet procedurale përkatëse: i paraburgosuri u veçua, u hartua raporti i incidentit dhe u mbajt procesverbali për sekuestrimin e sendeve të ndaluara. Materialet i janë referuar më pas strukturave të Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve për vijimin e hetimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, ky operacion konsiderohet një tjetër hap në forcimin e kontrollit dhe sigurisë në institucionet penitenciare, duke synuar goditjen e çdo tentative për futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara.
Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në rang vendi, duke theksuar një qasje të qartë: zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje të rregullave brenda burgjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



