BKH ushtron kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit
SPAK dhe BKH te dera e “Soft & Solution”: Fillon hetimi ndaj Ermal Beqirit, njeriut të miliona eurove nga tenderat e AKSHI-t!
Një stuhi hetimesh po përgatitet mbi mbretërinë e teknologjisë që ka ndërtuar Ermal Beqiri, ish-inxhinieri elektronik i Universitetit të Tiranës, që sot kontrollon miliona euro nga fondet publike. Byroja Kombëtare e Hetimit ka zbarkuar ditët e fundit në zyrat e kompanisë “Soft & Solution”, kompani kjo që vetëm gjatë viteve të fundit është kthyer në përfituesen më të madhe të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe shumë institucioneve të tjera publike.
Sipas burimeve konfidenciale për Fax News, kontrollet e ushtruara nga BKH janë kryer në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK, edhe pse vetë Prokuroria e Posaçme në një reagim të thatë për mediat deklaron se “nuk ka asgjë për të ndarë në këtë moment”.
Por zërat brenda sistemit të drejtësisë flasin për një tjetër realitet: hetimi i pasurisë dhe tenderave të fituar nga Beqiri dhe “Soft & Solution” ka nisur prej muajsh, dhe tanimë është duke kaluar në fazën operative.
Nga eksperti i videos së Ilir Metës, në milioneri i teknologjisë
Ermal Beqiri nuk është një emër i panjohur për publikun. Në vitin 2021, ai u përfshi si ekspert kyç në çështjen gjyqësore ndaj Ilir Metës, ku bashkë me disa kolegë të tjerë, dha konkluzione të diskutueshme mbi videon famëkeqe “Meta-Prifti”. Pikërisht ajo ekspertizë, e cila etiketoi videon si të manipuluar dhe të nxjerrë nga konteksti, shërbeu si alibi për shpalljen “të pafajshëm” të Ilir Metës nga Gjykata e Lartë.
Kjo ndërhyrje e hershme në një çështje të profilit të lartë duket se i hapi dyert Beqirit për një karrierë të shpejtë në sektorin publik të teknologjisë.
Tenderat me miliona euro dhe imuniteti institucional
Pavarësisht pikëpyetjeve mbi rolin e tij në të kaluarën dhe mbi procedurat e prokurimeve, kompania e tij “Soft & Solution” vijon të shpallet fituese pa asnjë pengesë institucionale, duke monopolizuar kontratat më të mëdha të shërbimeve IT në Shqipëri. Sipas të dhënave publike, kompania ka përfituar kontrata që kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove vetëm gjatë tre viteve të fundit.
Ndërkohë, kontrolli i fundit nga BKH duket si një kthesë e fortë në këtë histori. Ende nuk është bërë publik nëse hetimi lidhet drejtpërdrejt me tenderat e AKSHI-t, apo me ndonjë procedurë tjetër, por fakti që SPAK po hesht, është më shumë se një tregues alarmi.
A po shembet perandoria e padukshme e teknologjisë publike?
Nëse hetimi konfirmon abuzime, jemi përballë një skeme të sofistikuar përfitimi nga fondet publike, ku figura si Ermal Beqiri janë kthyer në aktorë të padukshëm por me ndikim të jashtëzakonshëm në prokurimet shtetërore.
A do të guxojë SPAK të shkojë deri në fund kësaj here? Apo “Soft & Solution” do të mbetet një tjetër histori e mbuluar me heshtje dhe procedura formale?
Publik.al do të vijojë ndjekjen e kësaj dosjeje, ndërsa opinioni publik pret përgjigje:
Sa para janë zhdukur nga paratë e taksapaguesve në emër të teknologjisë? Kush i mbron këta emra? Dhe mbi të gjitha: a do të ketë drejtësi?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



