Apeli i Posaçëm liron ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur lirimin nga burgu të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili qëndronte në qeli që prej qershorit të vitit 2024.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Florjan Kalaja, pasi në seancë u paraqitën argumentet e mbrojtjes dhe qëndrimi i prokurorisë, të cilat konverguan në kërkesën për lirimin e të dënuarit. Në përfundim, gjykata e konsideroi të përmbushur detyrimin penal dhe pranoi kërkesën.
Lirimi i Zarkës vjen si rezultat i përfundimit të plotë të dënimit të dhënë ndaj tij. Ai ishte shpallur fajtor për veprat penale të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm, në kuadër të një çështjeje të bujshme që lidhej me ndërhyrje të paligjshme në procese hetimore.
Fillimisht, Zarka ishte dënuar me katër vite burg, por për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u ul në dy vite e tetë muaj, duke përshpejtuar kështu edhe afatin e vuajtjes së tij.
Çështja që çoi në hetimin dhe më pas në dënimin e tij lidhet me episodin e njohur publikisht si “Toyota Yaris”, një operacion i vitit 2018, kur në portin e Portin e Durrësit u zbuluan 3.4 milionë euro të fshehura në automjete të përdorura të ardhura nga Belgjika. Ky rast u konsiderua një nga goditjet më të rëndësishme ndaj trafikut të parave të paligjshme në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



