Spiropali futet ‘si 7-ta në 13’ tek figurat historike të së majtës shqiptare
Ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, ka mbledhur në një takim miqësor disa prej figurave të njohura të së majtës shqiptare, në një tryezë që më shumë ngjante me “klubin e veteranëve” sesa me një takim të zakonshëm kafeje.
Në këtë tavolinë nostalgjie politike u shfaqën ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, akademiku Sherif Bundo dhe ish-ministri Ethem Ruka, emra që dikur lëviznin fijet e politikës, ndërsa sot rikthehen për një kafe dhe disa kujtime “nga koha kur bëhej historia”.
Takimi u zhvillua në një nga kafenetë e kryeqytetit, ku bisedat kaluan nga kujtimet e vjetra tek zhvillimet e fundit politike, me atë tonin klasik të atyre që “i kanë parë të gjitha”.
Siç rrëfen vetë Dokle, gjithçka nisi thjesht me një kafe dhe një foto mes miqsh, për të vijuar me diskutime të hapura për çdo temë, nga politika, te koha, e deri te batutat që nuk mungojnë kurrë në këto rrethana.
Në fund, sipas traditës së pashkruar shqiptare, nuk mungoi as “debati i madh strategjik”: kush do paguajë kafen.
“Duke pritur kafen e radhës e bëjmë edhe një foto me miqtë: Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Sherif Bundo, Ethem Ruka. Dhe pastaj fillon biseda miqësore, e sinqertë, e hapur për çdo temë. Në fund, si të gjithë, edhe ne nisim ‘zënkën’ e zakonshme: do paguaj unë, m’i lini mua kësaj radhe, pse vetëm ti do paguash?!”, shkruan Dokle.
Por “qershia mbi tortë” nuk erdhi nga tavolina, por nga komentet online.
Fotoja tërhoqi vëmendjen e deputetes së PS-së Elisa Spiropali, e cila, edhe pse jo pjesë e tryezës, vendosi të “futet në lojë” me një koment nga jashtë, duke e kompletuar simbolikisht tavolinën si “e 7-ta në 13”.
“Kafja t’ju jetë bërë shëndet e fuqi, e të tilla zënka paçi gjithmonë”, shkruan Spiropali, në një mesazh që tingëllon më shumë si përshëndetje nga distanca për një brez që duket se ende nuk e lëshon skenën lehtë.
Mes humorit dhe nostalgjisë, mbetet për t’u parë nëse këto kafe janë thjesht kujtime…apo sinjale të vogla nga prapaskena e politikës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





