Fundosja në rërë e pallateve tek “Durrës Marina”, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me skandalin e rëndë të ndërtimit në projektin “Durrës Marina”, ku disa godina kanë pësuar fundosje në zonën bregdetare.
Sipas gazetarit Elton Qyno bëjnë me dije se procedimi penal është regjistruar në kuadër të krimit ekonomik dhe aktualisht ndodhet në fazën fillestare. Në këtë fazë, prokuroria është fokusuar në mbledhjen e dokumentacionit teknik dhe ligjor, ndërsa në vijim pritet të merren në pyetje personat që kanë pasur rol në projektim dhe zbatim.
Sipas të njëjtave burime, në ditët në vijim pritet që pranë Prokurorisë së Durrësit të depozitohen edhe kallëzimet e para nga qytetarët që kanë blerë apartamente dhe njësi tregtare në godinat që kanë pësuar dëmtime në strukturën e themeleve.
Skandali i cilësisë së ndërtimit, që çoi në uljen e disa objekteve deri në dhjetëra centimetra, u bë publik pas një investigimi mediatik. Më pas, institucionet përgjegjëse kryen verifikime në terren, duke konfirmuar problematikat.
Sipas një raporti të cituar nga IKMT, një nga godinat ka pësuar ulje prej rreth 28 centimetra, ndërsa një tjetër rreth 18 centimetra. Në verifikime kanë marrë pjesë përfaqësues të disa institucioneve, përfshirë specialistë të fushës së ndërtimit.
IKMT ka kërkuar nga kompania zbatuese marrjen e masave të menjëhershme për përforcimin e strukturave, duke theksuar se çdo ndërhyrje duhet të kryhet me miratim paraprak nga autoritetet përkatëse.
Ndërkohë, sipas gazetarit Qyno, prokuroria ka kërkuar raportet topografike dhe dokumentacionin përkatës nga institucionet dhe pritet të caktojë ekspertë për të analizuar në detaje cilësinë e ndërtimit dhe shkaqet e dëmtimeve.
Projekti “Durrës Marina”, i promovuar si një investim strategjik në turizëm dhe zhvillim urban, realizohet nga kompania “Alabar” në bashkëpunim me shtetin shqiptar, ndërsa në zbatim janë përfshirë edhe kompani vendase.
Sipas informacioneve të publikuara nga Elton Qyno, dyshimet paraprake hedhin dritë mbi përgjegjësinë e një rrjeti kompanish private në këtë situatë, e cila po konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha në sektorin e ndërtimit në vend.
Hetimet vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të arrijë të rikuperohet apo do të përfundojë si një dështim i madh, me pasoja për investitorët dhe imazhin e zhvillimit urban në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



