Partnerët britanikë i dhurojnë pajisje moderne Policisë së Shtetit
Hita: Investime të tilla rrisin ndjeshëm kapacitetet operacionale
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një ceremoni e veçantë për dorëzimin e një pakete donacionesh me pajisje teknologjike të avancuara, të ofruara nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare e Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar (HOIO). Këto pajisje synojnë të forcojnë kapacitetet operacionale të strukturave policore në vend.
Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, përfaqësues të lartë të HOIO, përfshirë menaxheren rajonale Tara Moore dhe menaxherin ndërkombëtar ndërlidhës Stephen Law, si dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët britanikë, duke e cilësuar atë si një marrëdhënie të konsoliduar që ka dhënë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar. Ai theksoi se investime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e eficiencës së punës policore, duke përmirësuar analizën, hetimin dhe kontrollin në kufij.
Nga ana e saj, Tara Moore rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të vijuar mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, përmes asistencës teknike dhe shkëmbimit të eksperiencave më të mira profesionale.
Paketa e donacioneve, me një vlerë prej rreth 200 mijë paundësh, përfshin pajisje teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Njësia e Informacionit të Pasagjerëve, duke synuar rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në parandalimin dhe goditjen e krimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



