Gjykata lë pas hekurave ish-shefin e Komisariatit të Sarandës
Pas një seance maratonë që zgjati rreth shtatë orë, gjykata ka vendosur masat e sigurisë për katër efektivët e Komisariatit të Sarandës, të arrestuar nga AMP nën dyshimet për favorizim të ndërtimeve pa leje në zonat e Sarandës dhe Ksamilit.
Prokurorët Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho kërkuan masën “arrest në burg” me afat 45 ditë për ish-shefin e komisariatit, Gëzim Bashllari, si dhe për specialistin e zonës, Robert Çulli.
Ndërkohë, për dy oficerët e krimeve, Andi Duro dhe Ajdin Islamaj, organi i akuzës kërkoi masën “arrest në shtëpi”.
Në përfundim të shqyrtimit, gjyqtari Shkëlzen Liçaj vendosi të zbusë masën për dy të parët, duke e reduktuar nga 45 në 30 ditë “arrest në burg” për Bashllarin dhe Çullin.
Sa i përket dy oficerëve të tjerë, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për Andi Duro dhe Ajdin Islamaj.
Pas seancës, reagoi edhe avokati i Gëzim Bashllarit, Edison Ademi, i cili vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e ndalimit dhe provat e paraqitura nga prokuroria.
“Ka pasur shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore. Gjykata e konsideroi ndalimin të paligjshëm dhe në dosje mungojnë provat”, deklaroi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



