E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zhbllokimi i aktivitetit të Sori-Al, Prokuroria e Tiranës shkresë AKU-së
Lajme

Zhbllokimi i aktivitetit të Sori-Al, Prokuroria e Tiranës shkresë AKU-së

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me incidentin e helmimit në Akademinë e Sigurisë, ku dhjetëra studentë shfaqën probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit të ofruar nga një kompani kateringu.

Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm hetimorë, duke i dërguar një shkresë të dytë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ku kërkon sqarime të detajuara mbi vendimmarrjen për zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë “Sori-Al”. Kjo kompani ishte pezulluar fillimisht pas dyshimeve për lidhje me rastin e helmimit, por më pas iu lejua rifillimi i aktivitetit, një vendim që tashmë është vënë nën lupën e organit të akuzës.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Prokuroria kërkon të kuptojë arsyet dhe procedurat e ndjekura nga AKU për këtë vendim, si dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë ushqimore përpara se kompania të rikthehej në aktivitet.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar kartelat mjekësore të 56 studentëve të prekur, të cilat i janë referuar Institutit të Mjekësisë Ligjore për analiza të mëtejshme. Këto ekzaminime pritet të hedhin më shumë dritë mbi shkakun e helmimit dhe nivelin e rrezikut për shëndetin e studentëve.

Rasti ka ngritur shqetësime të forta mbi kontrollin e sigurisë ushqimore në institucionet publike dhe përgjegjësinë e subjekteve që ofrojnë shërbime të tilla. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje të procedurave apo neglizhencë nga palët e përfshira.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.