Gjendet i pajetë punonjësi i Gardës së Republikës
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Tiranë, ku punonjësi i Gardës së Republikës, Albert Gradica, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, “rreth orës 07:05, në një banesë në zonën e Rrugës së Dibrës, është konstatuar i pajetë shtetasi A. G., rreth 42 vjeç”.
Burimet bëjnë me dije se 42-vjeçari dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armën e shërbimit, në shtëpinë e tij. Dyshohet gjithashtu se në momentin e ngjarjes në banesë kanë qenë edhe familjarët e tij.
Sipas informacioneve paraprake, 42-vjeçari kishte shfaqur kohët e fundit shenja të depresionit, të lidhura me probleme familjare, ekonomike dhe shëndetësore.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



