Ndahet nga jeta sizmologu i njohur Shyqyri Aliaj
Sizmologu i njohur shqiptar, Shyqyri Aliaj, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e sizmologjisë dhe shkencave të Tokës.
Gjatë një karriere të gjatë dhe të pasur, profesor Aliaj u shqua për punën e tij kërkimore dhe akademike, duke qenë autor dhe bashkautor i dhjetëra monografive shkencore, teksteve mësimore dhe librave profesionalë. Trashëgimia e tij përfshin 105 artikuj shkencorë dhe 84 punime të prezantuara në simpoziume, konferenca dhe aktivitete të ndryshme shkencore, brenda dhe jashtë vendit.
Edhe në vitet e fundit të jetës, ai vijoi të ishte aktiv në komunikimin me publikun. Pas tërmetit të vitit 2019, profesor Aliaj doli shpesh në media për të qetësuar qytetarët, duke argumentuar se nuk priten tërmete shkatërruese në Shqipëri për një periudhë të gjatë kohore.
Kontributi i tij është i dokumentuar gjerësisht edhe në platforma ndërkombëtare si ResearchGate, ku punimet e tij janë ndjekur nga studiues të shumtë të shkencave të Tokës në mbarë botën.
Me ndarjen nga jeta të profesor Shyqyri Aliaj, Shqipëria humbet një nga figurat më të rëndësishme të shkencës, ndërsa komuniteti akademik një zë të vyer dhe të respektuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



