SPAK zbardh skemën, ‘dhurata’ e Carapuli t mori në ‘qafë’ Ballukun
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjeruar ndjeshëm hetimet ndaj ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Përveç akuzës për shpërdorim detyre, ajo tashmë përballet edhe me dyshime të forta për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në vijim të hetimeve të thelluara, është vendosur masa e sekuestros preventive mbi një vilë luksoze në zonën turistike të Dhërmiut, pjesë e një resorti ekskluziv në Gjilekë. Pasuria, me vlerë rreth 145 mijë euro, dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme në këmbim të favorizimeve në tendera publikë.
Sipas të dhënave hetimore, vila nuk figuron drejtpërdrejt në emër të Ballukut, por dyshohet se është fshehur përmes veprimeve juridike fiktive dhe personave të tretë. Një nga emrat e përfshirë në këtë skemë është edhe ish-futbollisti i njohur Igli Tare, i cili është marrë në pyetje nga autoritetet në kuadër të hetimit.
Hetimet lidhen me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga kompania shtetërore Albcontrol, ku dyshohet se janë krijuar avantazhe të padrejta për një operator ekonomik privat. Konkretisht, bëhet fjalë për rikonstruksionin e një godine teknologjike dhe shtesën e kontratës për këtë projekt, me një fond që kap vlera të konsiderueshme.
Sipas organit të akuzës, gjatë kohës që ushtronte funksionin drejtues në Albcontrol, Balluku dyshohet se ka ndikuar në përcaktimin e kritereve të tenderit, duke favorizuar një kompani të caktuar. Në këmbim, ajo dyshohet se ka përfituar pasurinë e paluajtshme, e cila më pas është tentuar të maskohet përmes kontratave të simuluara dhe marrëveshjeve joformale.
Dokumentet e administruara tregojnë se janë përdorur kontrata porosie dhe marrëveshje qiraje të dyshuara si fiktive për të fshehur pronësinë reale të vilës. Po ashtu, hetimet kanë përfshirë metoda speciale, analiza të provave dixhitale dhe gjurmim të transaksioneve financiare.
Prokuroria ka evidentuar se përfitimi i dyshuar është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të procedurës së tenderit, duke ngritur dyshime të forta për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes vendimmarrjes publike dhe interesave private.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë dhe për të dokumentuar plotësisht rrjedhën e veprimeve të dyshuara të paligjshme.
Autoritetet theksojnë se çdo person i përfshirë në këtë çështje konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.
Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim për gazetarët*
Shtetasja Belinda Balluku akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë);
Shtetasja Belinda Balluku është e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



