Mijëra qytetarë në protestë kundër epokës Rama-Berisha
Protesta qytetare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka hyrë në ditën e saj të gjashtë, duke mbledhur sërish një numër të madh qytetarësh përpara godinës së Kryeministrisë. Tubimi vijon të zgjerohet përtej çështjes së Zvërnecit, duke u shndërruar në një reagim më të gjerë kundër qeverisjes dhe situatës politike në vend.
Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, protestuesit kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre. Mes mesazheve që dominonin turmën ishin slogane si “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Atdheu nuk është në shitje”, “Edi Rama dorëhiqu” dhe “Shoqëria është e jona”. Në pankarta të tjera pasqyroheshin shqetësime ekonomike dhe sociale, duke reflektuar vështirësitë e përditshme të qytetarëve.
Pjesëmarrësit theksojnë se kjo lëvizje nuk ka drejtim politik, por është një reagim spontan qytetar ndaj pakënaqësive të akumuluara ndër vite. Sipas tyre, protesta është produkt i zemërimit publik dhe jo i organizimeve partiake.
Gjatë tubimit, disa protestues artikuluan kërkesa të drejtpërdrejta për ndryshim politik. Njëri prej tyre deklaroi se vendi duhet të “çlirohet” nga figurat kryesore politike, duke përmendur kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës për situatën aktuale. Ai bëri thirrje që protesta të mbetet qytetare dhe të mos instrumentalizohet nga partitë.
Një tjetër qytetar u shpreh se protestat janë rezultat i një mllefi të grumbulluar, duke theksuar se mungesa e reagimit institucional dhe ndjenja e neglizhimit kanë shtyrë qytetarët të dalin në rrugë. Sipas tij, kërkesa kryesore tashmë është dorëheqja e qeverisë dhe marrja seriozisht e zërit qytetar.
Mes zërave të ndryshëm në protestë, një qytetar me aftësi të kufizuara përcolli një mesazh emocional, duke kundërshtuar pretendimet për ndikime të jashtme në organizimin e tubimit. Ai theksoi se pjesëmarrja e tij lidhet me ngjarje të rënda dhe kërkesën për drejtësi, ndërsa shtoi se pakënaqësia qytetare po rritet pavarësisht largimit të të rinjve nga vendi.
Në protestë foli edhe aktori Mehdi Malkaj, i cili iu drejtua qytetarëve me një apel për qëndresë dhe pjesëmarrje më të gjerë, duke e cilësuar situatën si një moment që kërkon reagim kolektiv.
Ndërkohë, thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit janë intensifikuar gjatë gjithë tubimit, ndërsa protestuesit paralajmërojnë se mobilizimi do të vijojë. Sipas tyre, lëvizja tashmë ka marrë përmasa kombëtare dhe nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave.
Energjia në shesh mbetet e lartë edhe në këtë ditë të gjashtë, me qytetarët që deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe do të vijojnë presionin ndaj qeverisë për ndryshime të thella politike dhe sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



