Protestat kundër epokës Rama-Berisha bëhen mbarë kombëtare
Valë protestash kundër qeverisë po vijon të zgjerohet, duke përfshirë jo vetëm Tiranën, por edhe disa qytete të tjera në vend, si dhe komunitetet shqiptare në diasporë. Tubimet, që kanë hyrë në ditën e gjashtë në kryeqytet, po shënojnë një pjesëmarrje të lartë dhe një intensifikim të mesazheve kundër klasës politike.
Pas nisjes në Tiranë, protestat janë shtrirë edhe në Durrës, Vlorë, Korçë dhe Elbasan. Paralelisht, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë organizuar tubime para ambasadave dhe konsullatave shqiptare në disa vende europiane dhe në Amerikën e Veriut. Aksione të tilla janë zhvilluar në Mynih dhe Berlin, ndërsa janë paralajmëruar protesta në Londër dhe Bolonjë, si dhe në qytete të tjera si Milano, Bruksel, Nju Jork, Toronto dhe Shkup.
Në qendër të protestave është kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, dhe largimi i Sali Berishës, ndërsa thirrja “Dorëhiqu” është bërë slogani kryesor i qytetarëve. Protestuesit shprehin pakënaqësi të thellë ndaj qeverisjes ndër vite, duke theksuar se situata aktuale është pasojë e një cikli të gjatë politik që, sipas tyre, ka mbajtur peng zhvillimin e vendit.
Mesazhet e artikuluara në pankarta dhe thirrje janë të drejtpërdrejta dhe shpesh të forta. “Qoftë e bekuar pika që mbush gotën” dhe “Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty!” janë ndër shprehjet më të përhapura, që reflektojnë zhgënjimin e një pjese të madhe të qytetarëve, veçanërisht të rinjve.
Një element i veçantë i këtyre protestave është pjesëmarrja e gjerë e të rinjve, të cilët duket se po marrin një rol aktiv në organizimin dhe mbajtjen gjallë të këtyre tubimeve, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, duke theksuar se qeveria e tij mbështetet në një mandat të marrë nga vota e mbi 800 mijë qytetarëve në zgjedhjet e fundit. Megjithatë, presioni nga rruga dhe reagimi qytetar duket se po intensifikohet dita-ditës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



