I dehur dhe me kokainë me vete, arrestohet 38-vjeçari në Fier
Një 38-vjeçar nga Lushnja është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi u kap duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit dhe njëkohësisht dyshohet se shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë.
Ndërhyrja e policisë erdhi pas një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat ndaluan automjetin e tij në aksin rrugor “Fiershegan-Krutje”, për shkak të lëvizjeve të dyshimta. Testi i alkoolit konfirmoi se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur, ndërsa verifikimet zbuluan gjithashtu se automjeti nuk ishte i pajisur me siguracion.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet dhe më pas në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan 33 doza kokaine, të dyshuara të gatshme për shitje. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan edhe një peshore elektronike dhe katër telefona celularë, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm.
Përveç arrestimit, 38-vjeçari u ndëshkua edhe me një gjobë prej 55 mijë lekësh për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.
“Fier, shpërndante lëndë narkotike Kokainë, dhe drejtonte automjetin në efektin e alkoolit, lokalizohet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Gjithashtu, ai ndëshkohet me 55 000 lekë gjobë, për shkeljet rrugore të kryera. Në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën 33 doza Kokaine, gati për shitje. Dozat u sekuestruan bashkë me automjetin, 1 peshore elektronike dhe 4 celularë.
Gjatë monitorimeve të kryera në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv konstatimin e shtetasve që kryejnë manovra të dyshimta dhe të rrezikshme, me mjetet që drejtojnë, nga shërbimet e Policisë Rrugore u ndalua për verifikim, në aksin rrugor “Fiershegan-Krutje”, automjeti me drejtues shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga testi i bërë rezultoi se 38-vjeçari e drejtonte automjetin, në efektin e alkoolit, dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se nuk e kishte pajisur automjetin, me siguracion. Për të dyja shkeljet u ndëshkua me masa administrative, në total 55 000 lekë gjobë.
Më tej, iu kryen kontrolle në automjet dhe në banesë, ku iu gjetën në total 33 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, dhe 1 peshore elektronike.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Penalitetet”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. K., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia e Fierit.
38-vjeçari tashmë përballet me akuzën për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



