Ishte në kërkim, vetëdorëzohet ish-oficeri i policisë Irakli Koçiaj
Ish-oficeri i Policisë së Shtetit, Irakli Koçiaj, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas disa javësh në kërkim nga autoritetet.
Koçiaj, i cili më herët ka ushtruar detyrën si oficer i krimeve në zonën e Ksamilit, ishte shpallur në kërkim më 25 maj me urdhër të Prokurorisë së Sarandës. Ai dyshohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në kuadër të një hetimi që lidhet me pretendime për favorizimin e ndërtimeve pa leje në Ksamil.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ish-efektivi është paraqitur vetë pranë autoriteteve, ndërsa pritet që brenda dy ditëve të ardhshme të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë të Prokurorisë së Sarandës, i cili ka çuar më herët në arrestimin e tetë ish-punonjësve të Policisë së kësaj drejtorie, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën skemë.
Nga personat e arrestuar, dy ndodhen aktualisht në burg, mes tyre edhe ish-shefi i Komisariatit, ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie me afat 30-ditor. Për ta pritet një rivlerësim i masës në ditët në vijim. Ndërkohë, pesë ish-efektivë të tjerë po hetohen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



