Me armë e drogë me vete, arrestohen 2 persona në Vlorë
Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë dhe kanabis.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara në qytet dhe në zonat bregdetare, është arrestuar një 33-vjeçar me inicialet T. P., banues në Vlorë dhe me precedent penal në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e tij, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi kokaine të ndarë në doza, e dyshuar për shitje.
Në një rast tjetër, në Dhërmi, është arrestuar edhe një 18-vjeçar me inicialet A. C., i cili u kap në flagrancë me sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis. Sipas policisë, i riu dyshohet se i posedonte këto substanca me qëllim shpërndarjen e tyre në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.
Operacioni policor, i koduar “Siguria”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, me synim rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e paligjshmërisë, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Gjatë operacionit u goditën tre raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa u sekuestruan armë, municion dhe sasi droge.
Policia bën me dije se kontrollet në territor do të vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



