E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ilir Topi s’pyet për skandalet, rikthen kontratën me Nadir Çaushollin
Lajme

Ilir Topi s’pyet për skandalet, rikthen kontratën me Nadir Çaushollin

Drejtori i sapoemëruar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Ilir Topi, ka firmosur rikthimin e kontratës me kompaninë “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit, pavarësisht se kjo e fundit është nën hetim për një skemë të dyshuar mashtrimi me rimbursimin e barnave.

Vendimi, i marrë më 11 qershor 2026, vjen në zbatim të një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pezulloi ndërprerjen e mëparshme të kontratës mes Fondit dhe kompanisë farmaceutike.

“CFO Pharma” kishte humbur kontratën në tetor 2025, pas një auditimi të brendshëm që evidentoi shkelje të rënda financiare në lidhje me rimbursimin e medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow”. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë së Tiranës çuan në arrestime dhe masa sigurie ndaj zyrtarëve dhe përfaqësuesve të kompanisë, ndërsa dëmi i dyshuar u vlerësua rreth 700 mijë euro.

Sipas raportimeve mediatike, situata paraqitet edhe më problematike, pasi një tjetër auditim i kryer në fillim të vitit 2026 sugjeron se e njëjta skemë mund të jetë përdorur edhe për të paktën tetë medikamente të tjera. Nëse konfirmohet, dëmi financiar mund të jetë disa herë më i lartë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre dyshimeve dhe gjetjeve paraprake, drejtuesi i ri i Fondit ka vendosur të zbatojë vendimin e Apelit dhe të rikthejë marrëdhënien kontraktore me kompaninë.

Kritikët theksojnë se Gjykata e Apelit e ka justifikuar pezullimin e ndërprerjes së kontratës me nevojën për të garantuar furnizimin me barna për pacientët dhe institucionet publike. Por, nga ana tjetër, mbeten të hapura dyshime serioze për shkelje të tjera financiare që ende nuk janë shqyrtuar në proces gjyqësor.

Rikthimi i kontratës me “CFO Pharma” ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po trajtohen gjetjet e auditimeve dhe nëse dyshimet për abuzime me fondet e rimbursimit po marrin vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.