‘Neomalësorja’ sfidon Ramën: Shpërndaje parlamentin!
“Mandatin ma keni marrë ju për 10 muaj rresht, jo unë!”
Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja”, ka reaguar ashpër pas kritikave që pasuan vendimin e saj për t’u larguar nga Partia Socialiste dhe për të vijuar si deputete e pavarur.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Koçeku ka mbrojtur qëndrimin e saj, duke theksuar se mandati nuk është marrë në mënyrë të njëanshme, por është dhënë nga qytetarët.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muaj rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme,” – shprehet ajo.
Në reagimin e saj, deputetja sfidon hapur kritikët, duke kërkuar një përballje elektorale për të testuar mbështetjen reale politike. Ajo thekson se është e gatshme të rikthehet në garë, këtë herë në një përballje të drejtpërdrejtë në Tiranë.
“Do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë dhe do zbres me kandidue në Tiranë,” – vijon Koçeku, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe sfiduese.
Reagimi i saj vjen në një moment tensioni politik, pas largimit nga grupi parlamentar i PS-së dhe valës së kritikave nga figura të reja dhe përfaqësues të kësaj force politike, të cilët kanë kërkuar dorëzimin e mandatit si akt moral.
Koçeku, nga ana tjetër, e konsideron mandatin si një përgjegjësi që buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga strukturat partiake, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga roli i saj në Kuvend.
Dalja e saj si deputete e pavarur ka hapur një debat të gjerë politik, ndërsa reagimi i fundit pritet të thellojë më tej përplasjet mes saj dhe ish-bashkëpunëtorëve në Partinë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




