E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si fshiheshin milionat në fuçi nga grupi i Salvadore Aliut
Lajme

Si fshiheshin milionat në fuçi nga grupi i Salvadore Aliut

Përgjimet SKY ECC zbulojnë rrjetin e trafikut të kokainës

Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga komunikimet në aplikacionin e koduar SKY ECC, të përdorur nga anëtarët e një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i goditur së fundmi nga SPAK.

Nga hetimet rezulton se pjesëtarët e grupit diskutonin hapur për shuma marramendëse parash cash dhe mënyra të pazakonta për t’i fshehur ato. Në një bisedë të zhvilluar në gusht të vitit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, ky i fundit i sugjeron metoda konkrete për të shmangur zbulimin e parave.

Sipas dosjes hetimore, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, Shpëtim Aliu i komunikon se pritej të siguroheshin edhe 20 milionë euro të tjera. Në këtë kontekst, ai e këshillon që paratë të fshihen duke u futur në fuçi 50-litërshe dhe më pas të groposen në tokë, si një mënyrë për të shmangur kontrollin e autoriteteve.

Hetuesit dyshojnë se në total, Isa Aliu ka përfituar të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij, i njohur edhe me nofkën “Salvadore”, të cilat më pas janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, në përpjekje për t’i legalizuar.

Ndërkohë, në vijim të operacionit, Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Florjan Musajn, i vetmi i arrestuar deri tani nga ky grup. Ai u paraqit këtë të mërkurë para gjykatës, ku nuk dha deklarata mbi akuzat, por kërkoi përfaqësim ligjor. Gjykata i caktoi avokatin e shtetit, Arben Peçi.

Musaj është pjesë e një liste prej 10 personash ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit me burg. Megjithatë, shumica e tyre ndodhen jashtë vendit, duke e bërë të vështirë ekzekutimin e vendimeve.

Në kërkim janë shpallur: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Shpëtim Bibaj, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu (Salvadore).

Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në disa shtete, përfshirë vendet e Amerikës Latine, Brazilin, Belgjikën dhe Holandën, duke trafikuar sasi të mëdha lëndësh narkotike.

Dyshimet flasin për të paktën 50 ton kokainë të trafikuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar 491 pasuri me një vlerë totale që arrin në rreth 150 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.