“Pastruesi” në dosjen “Aruba”, zbulohet skema e pastrimit të miliona eurove
Zbardhet roli kyç i tepelenasit Edmond Jaupi, si i mbulonte “gabimet” e rrjetit kriminal
Një nga hetimet më të bujshme të kohëve të fundit, i trajtuar pjesërisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), hedh dritë mbi një rrjet kompleks kriminal që ndërthur trafikun ndërkombëtar të drogës, transaksionet në tregun e pasurive të paluajtshme në zonën e Zvërnecit, si dhe pastrimin e parave në shkallë të gjerë.
Në këtë dosje përfshihen disa emra të njohur në Shqipëri prej vitesh, me në qendër Artur Shehun. Sipas hetimeve, ky grup ka arritur të qarkullojë qindra miliona euro përmes sistemit bankar dhe atij noterial, duke ndjekur një skemë të strukturuar: fillimisht para të siguruara nga trafiku i drogës, më pas investime në prona dhe në fund blerje trojesh dhe apartamentesh në zonat më të shtrenjta turistike, nga Palasa deri në Himarë.
“Pastruesi” i dyshuar në skemë: Kush është Edmond Jaupi?
Një nga figurat kyçe të përmendura në dosjen e SPAK është Edmond Jaupi, 51 vjeç, me origjinë nga Tepelena. Ai konsiderohet nga hetuesit si një nga personat që ka luajtur rolin e “pastruesit” të parave, përmes mekanizmave financiarë dhe aktiviteteve të biznesit.
Aktualisht ndaj tij është caktuar një masë sigurie, e cila nuk është ekzekutuar, pasi në momentin e vendimit të gjykatës ai ndodhej në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe — një destinacion ku prej kohësh qëndrojnë disa persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Akuzat dhe bashkëpunimet e dokumentuara
Sipas materialeve hetimore, Edmond Jaupi dyshohet për përfshirje në pastrim të produkteve të veprës penale dhe aktivitetit kriminal. Në aktet e dosjes evidentohet bashkëpunimi i tij me persona të tjerë nën hetim.
“Personat nën hetim Adrian Rama dhe Elton Memeti bashkëpunojnë me personin nën hetim Edmond Jaupaj në investimet që kryejnë, si dhe ky i fundit është përfshirë në veprime për fshehjen e pronësisë reale të një mjeti lundrues tip ‘gomone’, që i përket personit nën hetim Adrian Rama”, thuhet në dokumentacionin hetimor.

Skema e pastrimit përmes kompanive
Prokuroria ka dokumentuar veprimtarinë e grupit përmes provave shkresore, përgjimeve dhe komunikimeve mes anëtarëve. Sipas dosjes, pastrimi i parave është realizuar përmes investimeve dhe faturimeve ndërmjet disa shoqërive tregtare.
“Veprimet e kryera nga personat nën hetim Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama dhe Edmond Jaupi për pastrimin e të ardhurave që rrjedhin nga aktiviteti kriminal janë realizuar nëpërmjet investimeve dhe faturimeve mes shoqërive ‘Kryon.83’, ‘ICLIMA ALBANIA’ dhe ‘ecs ECO Climate Solution’, duke i kanalizuar këto fonde në pasuri të paluajtshme apo në veprime për fshehjen e pasurive të luajtshme”, citohet në dosje.
Përgjimet: Dy vite komunikime për fshehjen e pasurisë
Një pjesë e rëndësishme e provave bazohet në përgjime telefonike të realizuara gjatë periudhës prill 2023 – mars 2025. Këto komunikime kanë nxjerrë në pah koordinimin mes anëtarëve të grupit për të fshehur origjinën e pasurive.
“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar biseda me interes mes shtetasve nën hetim Adrian Rama dhe Edmond Jaupi. Përmbajtja e tyre krijon dyshime të arsyeshme se këta shtetas, së bashku me persona të tjerë, kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të fshehur origjinën e një pasurie të luajtshme, konkretisht një mjet lundrues tip ‘gomone’”, thuhet në dosje.

Transaksionet dhe fshehja e origjinës së parave
Sipas hetuesve, grupi kriminal përdorte metoda të ndryshme për të transferuar, konvertuar dhe fshehur burimin e vërtetë të të ardhurave të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Në një nga episodet e dokumentuara, më datë 24 prill 2023, rreth orës 17:50, Adrian Rama komunikon me Edmond Jaupin lidhur me një mjet lundrues tip ‘gomone’. Nga analiza e kësaj bisede rezulton se mjeti ishte vendosur në përdorim të Adrian Ramës, ndërsa dyshohet për tentativa për të fshehur pronësinë reale të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



