E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokati i Bajrave reagon pas akuzave të forta të ‘neomalësores’
Lajme

Avokati i Bajrave reagon pas akuzave të forta të ‘neomalësores’

“Nëse ke prova dorëzoja drejtësisë, jo rrjeteve sociale”

Avokati i familjes Bajraj, Sokol Tahiraj, ka reaguar publikisht pas deklaratave të bëra nga deputetja Marjana Koçeku, duke i cilësuar ato si të pambështetura në prova dhe dëmtuese për reputacionin e klientëve të tij.

Në një qëndrim zyrtar, Tahiraj thekson se akuzat e artikuluara në mënyrë publike përbëjnë, sipas tij, një cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit dhe të drejtave themelore të personave që ai përfaqëson. Ai nënvizon se në një shtet ligjor, askush nuk mund të shpallet fajtor përmes deklaratave politike apo perceptimeve personale.

Sipas avokatit, çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të bazohet në prova konkrete dhe të trajtohet ekskluzivisht nga organet e drejtësisë, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

“Deklaratat publike me etiketime paragjykuese nuk kontribuojnë në një debat të shëndetshëm demokratik, por krijojnë klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj individëve dhe familjeve të tyre”, theksohet në reagim.

Ai shton se gjuha e përdorur në deklaratat e deputetes është e papërshtatshme dhe dëmton imazhin e personave të përmendur, duke i ekspozuar ata ndaj gjykimit publik pa një proces të rregullt ligjor.

Në këtë kontekst, avokati bën me dije se po shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për mbrojtjen e interesave të klientëve të tij, përfshirë kallëzimet pranë institucioneve përkatëse dhe ndjekjen e procedurave për çdo deklaratë që mund të konsiderohet shpifëse apo e pavërtetë.

Në fund të reagimit, Tahiraj i bën thirrje deputetes Koçeku që, nëse disponon prova për pretendimet e saj, t’i paraqesë ato në rrugë zyrtare pranë organeve kompetente dhe jo nëpërmjet deklaratave publike apo mediave.

Deklarata e plotë:

“Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.