Zbardhet pasuria marramendëse e Isa Aliut, lidhja me Ilir Shtufin
Një nga operacionet më të mëdha të goditjes së krimit të organizuar ka çuar në sekuestrimin e mbi 220 pasurive në emër të Isa Aliut, i konsideruar nga hetuesit si një nga hallkat kyçe në skemën e pastrimit të parave që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Isa Aliu, vëllai i Salvadore Aliut, përfshihet në listën e personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimeve për një rrjet të fuqishëm që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës.
Sipas dosjes hetimore, pasuritë e krijuara ndër vite dyshohet se janë produkt i pastrimit të të ardhurave kriminale, të investuara kryesisht në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe aktiviteteve tregtare. Hetuesit vlerësojnë se rreth 30 milionë euro janë futur në Shqipëri dhe janë ricikluar përmes kanaleve të ndryshme, shpesh në formë cash.
Aktiviteti ekonomik i Isa Aliut nisi në vitin 2008 me themelimin e kompanisë “Aliu Road House”, ndërsa zgjerimi më i madh i biznesit u regjistrua pas vitit 2022. Brenda një periudhe të shkurtër, ai bleu kompani sigurie, investoi në sektorin bujqësor dhe themeloi shoqëri të reja në fushën e ndërtimit dhe turizmit.
Hetimet tregojnë se pikërisht periudha 2022–2025 përkon me një rritje të shpejtë dhe të pazakontë të pasurisë, e shoqëruar me investime masive në prona dhe projekte ndërtimi në zona të ndryshme të vendit.
Në dosje përmenden edhe komunikime të mëhershme mes dy vëllezërve, ku flitet për shuma të mëdha parash në dispozicion, duke përfshirë miliona euro që qarkullonin jashtë sistemit bankar.
Paralelisht, bilancet financiare të kompanisë kryesore tregojnë një kthesë të menjëhershme: nga humbje të vazhdueshme deri në vitin 2019, në fitime të larta në vitet pasuese, me rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe aseteve.
Një pjesë e konsiderueshme e investimeve është përqendruar në tregun imobiliar. Vetëm në një periudhë të shkurtër, Isa Aliu ka investuar në dhjetëra apartamente, vila, godina shumëkatëshe dhe projekte turistike në bregdet.
Gjithashtu, ai rezulton i përfshirë në kontrata për ndërtimin e hoteleve luksoze në jug të vendit, ku në këmbim të investimeve përfitonte pjesë pronësie në këto struktura.
Në total, përveç dhjetëra llogarive bankare, ai dhe kompanitë e lidhura me të zotërojnë mbi 160 prona të ndryshme, duke përfshirë troje, ndërtesa, apartamente dhe sipërfaqe toke.
Sipas vlerësimeve paraprake, pasuritë e sekuestruara në këtë operacion kapin vlerën e rreth 150 milionë eurove, duke e bërë këtë një nga goditjet më të mëdha financiare ndaj rrjeteve kriminale në vend.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të pastrimit të parave dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



