Rama sfidon “Revolucionin Flamingo”: Nuk ka forcë që më ndal!
Do fus Shqipërinë në BE deri 2030
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për t’u kthyer një tjetër përgjigje prerë mijëra qytetarëve që prej 25 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij. Përmes një postimi, Rama është shprehur i vendosur për të mos u tërhequr, duke e konsideruar misionin e tij drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030 si të pandalshëm.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kreu i qeverisë po përballet me valën më të madhe të protestave në 13 vitet e tij në pushtet. Ajo që po konsiderohet si “revolucioni flamingo” nisi më 31 maj si një reagim qytetar ndaj dhunës në Zvërnec, por shpejt u shndërrua në një lëvizje mbarëkombëtare dhe të diasporës kundër kastës së vjetër politike, nën motot “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
“Strategjia e re” me qytetarin digjital
Për të treguar se gëzon ende mbështetje popullore në këto ditë të vështira, Rama ka publikuar mesazhin e një qytetari që e këshillon të mos dorëhiqet. Kjo lëvizje shihet si një huazim i konceptit të “qytetarit digjital” – një metodë e përdorur prej vitesh nga Sali Berisha për denoncime, por që këtë herë po përdoret nga Kryeministri për të kundërshtuar zërat e sheshit.
“I siguroj të tërë se nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian…” – shkruan Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri ka pranuar se nevojiten përmirësime, duke shtuar se “nuk ka gjëkundi brenda meje asnjë iluzion për shumëçka kërkon ende korrigjim me punë këmbëngulëse”.
Nga Irani te rrjetet sociale: “Gjuetia” e organizatorëve
Pavarësisht toneve të zbutura ndaj mbështetësve, Rama ka nisur një sulm frontal ndaj organizatorëve të protestës, duke ndryshuar vazhdimisht narrativën:
Së pari: Aludoi se protestat sponsorizoheshin nga Irani.
Së dyti: Fajësoi “algoritmin” e rrjeteve sociale dhe influencuesit.
Së fundmi: Ka kaluar në identifikimin e organizatorëve me emra të përveçëm, çka nga kritikët po shihet si një tentativë për të kërcënuar dhe përçarë lëvizjen.
Për më tepër, raportohet se Rama ka urdhëruar të gjithë strukturat e Partisë Socialiste, deputetët dhe administratën që të zhvendosin betejën në rrjetet sociale për të neutralizuar revoltën e rrugës.
Pritet përshkallëzim: Diaspora zbret në Tiranë
Sakaq, organizatorët e protestës, e cila dallon nga lëvizjet e kaluara pasi nuk udhëhiqet nga partitë politike, kanë bërë të ditur se kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit është e panegociueshme.
Këtë të shtunë pritet të mbahet një protestë mbarëkombëtare ku qytetarë nga të gjitha rrethet do të marshojnë drejt Tiranës, ndërsa kulmi pritet më 4 korrik, datë në të cilën është njoftuar zbarkimi i mijëra shqiptarëve të diasporës në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



