Arrestohet ish-drejtori i policisë së Vlorës Sokol Mulosmani
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Sokol Mulosmani, është arrestuar në Tiranë pas një konflikti të ashpër me familjarët e tij, i cili dyshohet se ka pasur në qendër çështje pronësie.
Sipas informacioneve paraprake, në pranga kanë përfunduar gjithsej pesë persona, mes tyre katër vëllezër, të përfshirë në përplasjen që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet.
Burime bëjnë me dije se Mulosmani është konfliktuar me tre vëllezërit e tij dhe një nip, ndërsa situata ka degraduar në përplasje fizike. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka”, ku tensionet mes familjarëve kanë arritur kulmin.
Pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën, duke bërë të mundur neutralizimin e konfliktit dhe shoqërimin e personave të përfshirë në komisariat.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit prej të ndaluarve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



