Sot mbahet protesta e 32-të kundër epokës Rama-Berisha
Në orën 19:00 të kësaj të marte, në Tiranë pritet të zhvillohet protesta e 32-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton. Tubimi vjen në vijim të një serie protestash që kanë shënuar një muaj mobilizim të pandërprerë qytetar.
Organizatorët kanë bërë apel të hapur për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke ftuar jo vetëm qytetarët nga të gjitha zonat e Shqipërisë, por edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të bashkohen në këtë protestë që konsiderohet vendimtare.
Sipas njoftimeve zyrtare, grumbullimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Pikërisht aty pritet të përqendrohet edhe qëndrimi kryesor i protestuesve, ku do të artikulohen kërkesat dhe qëndrimet kundër qeverisë.
Në thelb të kësaj lëvizjeje qëndron kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë theksuar se protestat nuk do të ndalen deri në arritjen e këtij objektivi, duke e konsideruar pjesëmarrjen qytetare si element kyç për presionin publik.
Protesta e sotme shënon një moment simbolik, pasi përkon me një muaj nga nisja e këtij aksioni të vazhdueshëm opozitar dhe qytetar, duke reflektuar një intensifikim të klimës politike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



