Protesta/ PDE/EDP ngre shqetësime për ndërhyrjen e policisë
Partia e Demokratëve Europianë (PDE/EDP) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Shqipëri, në një kohë kur protestat qytetare kanë hyrë në ditën e 31-të dhe janë shoqëruar me ndërhyrje policore dhe arrestime.
Në një qëndrim zyrtar, kjo forcë politike europiane thekson se raportimet për komunikime të brendshme mes deputetëve të mazhorancës, ku pretendohet se është diskutuar ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve, përbëjnë një çështje serioze që kërkon verifikim të plotë dhe transparencë institucionale.
Sipas PDE/EDP, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, ato do të ngrenë pikëpyetje të forta mbi pavarësinë e institucioneve dhe kufirin mes pushtetit politik dhe organeve të rendit. Një situatë e tillë, theksohet në reagim, bie ndesh me parimet demokratike që duhet të respektojë çdo vend që synon integrimin në Bashkimin Europian.
Në deklaratë vihet në dukje gjithashtu se e drejta për protestë paqësore është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe duhet të garantohet pa ndërhyrje disproporcionale. Përdorimi i forcës ndaj qytetarëve që ushtrojnë këtë të drejtë konsiderohet i papranueshëm dhe në kundërshtim me standardet europiane.
PDE/EDP apelon për respektim të plotë të lirive themelore dhe për një qasje të matur nga institucionet, duke nënvizuar se rruga drejt Bashkimit Europian kalon përmes garantimit të të drejtave të qytetarëve dhe funksionimit të pavarur të shtetit ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




