Turqia ‘mbyll portat’ për LGBT, largon kroçeren me 1900 persona
Turqia ka refuzuar të lejojë ankorimin në portet e saj të një kroçere të rezervuar për udhëtarë amerikanë të komunitetit LGBTQ+, duke detyruar organizatorët të ndryshojnë itinerarin vetëm pak ditë përpara nisjes.
Anija “Scarlet Lady”, e planifikuar të nisej më 5 korrik nga Greqia, kishte parashikuar ndalesa në Kuşadası dhe Stamboll. Megjithatë, pas vendimit të autoriteteve turke, destinacionet janë ndryshuar dhe kroçera do të ndalet në Egjipt dhe në ishullin grek të Kretës.
Sipas autoriteteve në Turqi, refuzimi lidhet me faktin se aktiviteti nuk përputhet me “vlerat morale” dhe “strukturën familjare” të vendit. Në deklaratat zyrtare, grupi organizator është cilësuar si i papajtueshëm me normat shoqërore që promovon shteti turk.
Nga ana tjetër, kompania organizatore “Atlantis Events” e ka konsideruar këtë vendim si diskriminues dhe të paprecedentë. Përfaqësuesit e saj theksuan se në mbi 36 vite aktivitet ndërkombëtar nuk janë përballur asnjëherë me një ndalim të tillë bazuar në identitetin e pasagjerëve.
Në këtë kroçerë pritet të marrin pjesë rreth 1.900 persona, ku mbi 1.100 prej tyre janë shtetas amerikanë.
Vendimi vjen në një klimë më të ashpër politike në Turqi ndaj komunitetit LGBTQ+, ndërsa aktivitetet e Pride në Stamboll vijojnë të mbeten të ndaluara që prej vitit 2015.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



