E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK fut në sitë KPP-në, Meksi: Përgjimet kanë kapur pazaret!
Lajme

SPAK fut në sitë KPP-në, Meksi: Përgjimet kanë kapur pazaret!

SPAK i ka kërkuar Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) të gjithë dokumentacionin dhe praktikën e plotë të vlerësimit të një oferte, pas indicieve për përfshirjen e disa anëtarëve të këtij institucioni dhe ekzistencës së një përgjimi që lidhet me çështjen.

Për këtë zhvillim ka reaguar drejtori i përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, i cili e konsideron elementin më të rëndësishëm të çështjes pikërisht ekzistencën e përgjimeve.

Sipas tij, fakti që hetimi bazohet edhe në përgjime tregon se nuk bëhet më fjalë vetëm për analizë dokumentesh, por për një situatë ku mund të jetë zbuluar një marrëveshje e mundshme mes personave të përfshirë.

“Lajmi për mua është përgjimi. Detaji i përgjimit është interesant se shkon përtej analizës së letrave. Në fund Komisioni i Prokurimeve Publike operon pak a shumë si një gjykatë. I ke dhënë të drejtën për të marrë vendime”, u shpreh Meksi.

Ai theksoi se në shumë raste është e vështirë të identifikohet një shkelje vetëm përmes dokumenteve zyrtare, nëse nuk ka prova të tjera si dokumente të zhdukura apo të falsifikuara.

“Sa i përket vendimmarrjes, në shumë raste është e vështirë të kuptosh ku është shkelja, nëse nuk ka dokumente të zhdukura, të falsifikuara. Ndërsa përgjimi do të thotë se është kapur pazari. Përgjimi është shumë më efikas sesa analizimi i letrave”, tha ai.

Meksi: Ndoshta anëtarët e KPP kanë qenë nën përgjim

Duke folur për hetimet dhe mundësinë e zbulimit të personave të përfshirë, Meksi tha se informacionet më të rëndësishme mund të dalin pikërisht nga përgjimet.

“Ndoshta që nga pengmarrja e zotit Gerond Meçe, mund t’i kenë pasur nën përgjim të gjithë anëtarët e KPP, ndoshta edhe inspektorët. Besoj aty do të jenë risitë. Aty do të dalin emrat, qoftë në garën e KPP, por edhe për të kuptuar se kush janë personat që kanë bërë dëme, edhe në rastin e zotit Meçe, se ende nuk kemi emra se kush bashkëpunonte nga ana e KPP në dosjen AKSHI”, deklaroi Meksi.

Sipas tij, përdorimi i përgjimeve rrit ndjeshëm nivelin e goditjes ndaj kësaj strukture.

“Me përgjimet kemi rritje të nivelit të goditjes që do t’i bëhet kësaj strukture. KPP është një institucion tej mase teknik, por me një pushtet të jashtëzakonshëm, pasi ka në dorë të gjithë prokurimet publike dhe ka një rol të rëndësishëm në tregun e biznesit shqiptar”, tha ai.

Apeli për reflektim nga ekzekutivi dhe Kuvendi

Meksi kërkoi reflektim serioz nga institucionet, veçanërisht për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të KPP dhe rolin mbikëqyrës të Kuvendit.

“Edhe KPP e re, cilët do të jenë anëtarët e rinj, duhet të kenë një lloj presioni se nuk mund të bësh ç’të duash pa një llogaridhënie. Edhe ekzekutivi i ka bërë reflektimet e veta për të kuptuar sa kujdes do të duhet në zgjedhjen e atyre anëtarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, procesi për rinovimin e drejtimit të KPP ende nuk ka përfunduar dhe kërkohet një qasje më serioze nga qeveria dhe Kuvendi.

“Procesi i garës së kryetarit për rinovimin e tij akoma nuk është mbyllur. Duhet reflektim serioz nga ana e ekzekutivit, por edhe Kuvendit, për rolin mbikëqyrës që ka ndaj këtij komisioni”, tha Meksi.

Ai kritikoi gjithashtu rolin e Kuvendit, duke thënë se deri tani mbikëqyrja ka qenë pothuajse formale.

“Kuvendi pothuajse limitohet në një aktivitet formal, i dëgjon këta zotërinj, nuk i pyet fare dhe në fund fare e voton rezolutën ashtu si ka ardhur. Kuvendi është thuajse zero prezent. Në Kuvend janë 140 veta, kanë më shumë komisione dhe ekspertë të mundshëm”, deklaroi ai.

Meksi: Është marrëzi të mendohet se Rama di çdo prokurim

Duke folur për përgjegjësinë institucionale, Meksi tha se nuk është e arsyeshme të mendohet se çdo vendim i marrë në fushën e prokurimeve publike ka dijeni direkte nga kryeministri.

“Është absurditet të mendosh se çdo dosje të mundshme dhe çdo prokurim në KPP ka dijeni të plotë Kryeministri Rama. Është marrëzi!”, u shpreh ai.

Sipas tij, Kuvendi mund të luajë një rol më aktiv duke kërkuar më shumë informacion dhe duke ushtruar presion institucional.

“Në këtë sens Kuvendi mund të ndihmonte, duke rritur presionin dhe mund të kërkonte shumë detaje, në këtë rast për historinë e AKSHI-t”, tha Meksi.

Në fund, ai kritikoi faktin se, sipas tij, KPP ka vijuar aktivitetin pa një analizë të brendshme pas skandaleve të fundit.

“Këta zotërinjtë kanë vijuar punën lehtësisht fare, sikur asgjë nuk ka ndodhur. KPP nuk ka bërë një vlerësim të brendshëm pas skandalit”, përfundoi Endri Meksi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.