Dua Lipa godet Edi Ramën në podcastin me Lea Ypin (VIDEO)
Këngëtarja me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka shprehur qëndrimin e saj kritik ndaj qeverisë shqiptare gjatë një podcasti me akademiken Lea Ypi, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si merren vendimet që prekin interesin publik.
Artistja theksoi se është e pamundur të diskutohet për historinë e Shqipërisë pa reflektuar njëkohësisht mbi realitetin aktual, ndërsa vuri në dukje mungesën e konsultimit publik në vendimmarrje. Sipas saj, ndryshimet në legjislacion, sidomos ato që lidhen me mjedisin, nuk duhet të miratohen pa përfshirjen e qytetarëve.
“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa analizuar edhe zhvillimet e sotme. Është shqetësuese kur ligjet për mjedisin ndryshohen pa një proces të hapur dhe pa dëgjuar qytetarët,” u shpreh ajo.
Deklarata e Duas lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet në ligjin nr. 21/2024, i cili hap rrugën për ndërtime në zona të mbrojtura natyrore, përfshirë edhe lagunën e Vjosë-Nartës. Ky zhvillim ka nxitur reagime të forta publike, pasi konsiderohet se rrezikon një nga ekosistemet më të rëndësishme në vend dhe i hap rrugë projekteve luksoze në zonën e Zvërnecit.
Ndërkohë, kundërshtimi qytetar vijon prej më shumë se gjashtë javësh. Protestuesit kërkojnë jo vetëm shfuqizimin e këtij ligji, por edhe largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, duke e konsideruar këtë çështje një provë të qartë të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



