E enjte, 29 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Drejtoria e Burgjeve e klasifikon sekret urdhrin për transferimin e Veliajt në Fier
Lajme

Drejtoria e Burgjeve e klasifikon sekret urdhrin për transferimin e Veliajt në Fier

Ministria e Drejtësisë ka reaguar për transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi në Durrës drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, duke bërë të ditur se urdhri për këtë lëvizje është klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Në një njoftim zyrtar, institucioni shpjegon se transferimi është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare. Megjithatë, arsyet konkrete të përcaktuara në urdhrin përkatës nuk janë bërë publike, pasi dokumenti i nënshtrohet rregullave ligjore për informacionin e klasifikuar.

Sipas Ministrisë, pas mbërritjes në burgun e Fierit, Veliaj është vendosur fillimisht në sektorin e pranimit dhe observimit, ku janë zbatuar procedurat e parashikuara nga legjislacioni për trajtimin e të paraburgosurve.

Veliaj u dëgjua nga komisioni i pranimit

Njoftimi bën të ditur se më 29 tetor, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier zhvilluan një takim me Veliajn në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë këtij takimi, sipas institucionit, janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime lidhur me të drejtat dhe detyrimet gjatë qëndrimit në burg.

Pas këtij procesi, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij, bazuar në vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.

Ministria thekson se urdhri i transferimit është miratuar sipas procedurave ligjore dhe se administrimi apo vënia në dispozicion e tij u nënshtrohet rregullave që përcaktojnë mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara.

DPB: Janë kryer 24 transferime brenda 11 ditësh

Në reagim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se nga data 16 deri më 27 tetor 2026 janë kryer 24 transferime të personave të burgosur, në kuadër të procedurave ligjore.

Institucioni argumenton se vendimmarrja për transferimet për arsye të përligjura është kompetencë e drejtorit të përgjithshëm, në bazë të dokumentacionit të administruar dhe kritereve përkatëse.

Reagimi vjen pas pretendimeve të Erion Veliajt për mënyrën e transferimit dhe kushtet e qëndrimit në burgun e Fierit. Ndërsa autoritetet thonë se janë zbatuar procedurat standarde dhe se janë respektuar të drejtat e tij, arsyet konkrete të transferimit mbeten të pazbardhura për publikun për shkak të klasifikimit të urdhrit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.