“Sheiku i tenderave”, Eral Myftaraj, përfundon në SPAK
Biznesmeni gramshiot Eral Myftaraj është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në përgjigje të thirrjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në cilësinë e personit në dijeni, në kuadër të një hetimi për tenderë publikë të dyshuar si të përfituar në mënyrë korruptive.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se dëshmia e tij lidhet me disa procedura prokurimi që po verifikohen, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar kontrollet mbi aktivitetin e tij, përfshirë monitorime dhe ndjekje të lëvizjeve. Në fokus janë kontrata publike të fituara ndër vite nga kompani të lidhura me Myftarajn, për të cilat dyshohet se janë shoqëruar me mungesë gare reale, oferta pranë fondit limit dhe elementë që ngrenë dyshime për favorizime.
Sipas të dhënave që po shqyrtohen, vetëm përmes disa prej kompanive të tij, si “Meteo” shpk dhe “AL-MEXWOOD” shpk, Myftaraj dyshohet të ketë përfituar dhjetëra miliona euro nga tenderë publikë, ndërsa transaksionet nga thesari i shtetit në vite kapin shifra shumë më të larta. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu rrjedhën e këtyre fondeve dhe mënyrën e përfitimit të kontratave.
Në qendër të hetimit janë edhe dyshime për lidhje të mundshme me zyrtarë publikë, si dhe për ndikim në procedurat e prokurimeve. Paralelisht, po shqyrtohen edhe indicie për parregullsi në zbatimin e kontratave, përfshirë raste të dyshuara të pagesave për punime të pakryera apo devijime nga specifikimet teknike.
Paraqitja e Myftarajt në SPAK, pa praninë e një avokati, konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në këtë proces, ndërsa burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se dëshmia e tij mund të ndihmojë në zbardhjen e skemës së funksionimit të këtyre procedurave dhe në identifikimin e përgjegjësive të mundshme.
Hetimet vijojnë dhe mbetet për t’u parë nëse çështja do të zgjerohet më tej, në një kohë kur SPAK po synon të dokumentojë një nga rastet më të mëdha të dyshuara të abuzimit me fondet publike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



