Kryetarja e zgjedhur nga Rama, nuk zbaton vendimin e gjykatës
Skandali në Bashkinë Tiranë, rasti Dokushi kthehet në çështje penale
Ligji parashikon dënim me burg
Një situatë që po afrohet me kufijtë e një skandali juridik është krijuar në Bashkinë e Tiranës, ku veprimet e zv.kryetares Anuela Ristani kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit dhe vendimeve të gjykatës.
Çështja lidhet me shkarkimin e Alban Dokushit nga posti i sekretarit të përgjithshëm, një vendim që u mor menjëherë pasi kryeministri Edi Rama i delegoi kompetencat përmes firmës së kryebashkiakut Erion Veliaj. Megjithatë, zhvillimet e fundit e kanë komplikuar ndjeshëm situatën.
Më 2 qershor, Gjykata Administrative ka vendosur në mënyrë të formës së prerë se shkarkimi i Dokushit është nul dhe i marrë në kundërshtim me ligjin. Sipas këtij vendimi, zv.kryetarja Ristani nuk ka pasur kompetencë ligjore për të ndërmarrë një veprim të tillë, duke e cilësuar vendimin si abuziv dhe pa fuqi juridike.

Pavarësisht këtij vendimi të prerë, aktualisht raportohet se ai nuk po zbatohet. Jo vetëm kaq, por gjithashtu nuk po merret në konsideratë as një vendim i firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili, edhe pse ndodhet në paraburgim, vijon të ketë të drejtën e firmës dhe vulës, një kompetencë që i është njohur nga Gjykata Kushtetuese pas shfuqizimit të shkarkimit të tij.
Ndërkohë, posti i sekretarit të përgjithshëm rezulton të jetë i zënë nga Eldi Hoxha, një emër i përfshirë në hetimet e SPAK në kuadër të një çështjeje për kontrabandë cigareje.
Në vend të zbatimit të vendimit gjyqësor për rikthimin e Dokushit në detyrë, administrata i ka propozuar atij një pozicion tjetër, atë të drejtorit, duke argumentuar se posti i mëparshëm është tashmë i zënë. Kjo situatë ka ngritur një tjetër debat: a mund të zëvendësohet një vendim gjykate me një zgjidhje alternative administrative?
Çfarë parashikon Kodi Penal?
Legjislacioni shqiptar është i qartë në lidhje me moszbatimin e vendimeve gjyqësore. Kodi Penal parashikon pasoja konkrete për këdo që pengon ose refuzon ekzekutimin e tyre.
Neni 320 – Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës
Fshehja, tjetërsimi, dëmtimi apo çdo veprim tjetër që synon të pengojë zbatimin e një vendimi gjyqësor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet.
Neni 320/a – Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës
Moszbatimi i një vendimi gjyqësor nga një punonjës i ngarkuar me këtë detyrë dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 vjet. Në rastet kur ky veprim kryhet për përfitime apo për të favorizuar palë të caktuara, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.
Një precedent i rrezikshëm?
Refuzimi i zbatimit të një vendimi të formës së prerë nga institucionet publike ngre shqetësime serioze për funksionimin e shtetit ligjor. Çështja Dokushi tashmë nuk mbetet vetëm një konflikt administrativ, por mund të marrë edhe dimension penal, nëse provohet se vendimi po pengohet në mënyrë të qëllimshme.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse organet kompetente do të ndërhyjnë për të garantuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve gjyqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



