Dita e 47-të e protestës, nuk ndalet revolta qytetare
kërkohet largimi dhe arrestimi i Ramës
Qytetarët nuk heqin dorë, dita e 47-të e protestës kundër qeverisë dhe klasës politike
Protesta qytetare para godinës së Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 47-të, ndërsa qindra qytetarë u mblodhën sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e gjithë klasës politike dhe ndryshim të sistemit të qeverisjes.
Ajo që nisi si një reagim kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe mungesë përgjegjshmërie.
Qytetarët u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet: “Rama ik!”, “Berisha ik!”, “Ikni të gjithë!”, “Poshtë kasta politike!”, “Duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Jep dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Qytetari nga protesta: SPAK të arrestojë Edi Ramën
Në vijim të tubimit, qytetarë dhe aktivistë mbajtën fjalime, ku kërkuan që organet e drejtësisë të hetojnë deri në fund aferat që, sipas tyre, kanë shoqëruar qeverisjen.
Një prej protestuesve u ndal te ligji për zonat e mbrojtura, duke deklaruar se edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime për këtë çështje.
“BE ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar qeverisë atë që i kemi kërkuar ne, anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura. I kërkojmë gjithashtu SPAK-ut që, nëse i ka nisur hetimet, të mos ndalet derisa të vendoset para akuzës Edi Rama”, deklaroi ai.
Protestuesi ngriti edhe pyetje mbi përgjegjësinë politike të kryeministrit për aferat ku janë përfshirë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë.
“Si ka mundësi që një kryeministër, që ka shumë ministra të akuzuar dhe disa në burg, të mos merret si i pandehur? A mund të kenë ndodhur gjithë këto afera pa dijeninë e kryeministrit? Ai është drejtuesi i qeverisë”, u shpreh protestuesi.
Deklaratat e tij u shoqëruan me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit, ndërsa protesta vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për veprim nga institucionet e drejtësisë.
Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa organizatorët ritheksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj politike dhe institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



