Kreshnik Tërnova nën hetim nga SPAK, akuzat dhe lidhjet AKSHI-n
Kreshnik Tërnova, anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik, është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të dyshimeve për përfshirje në shkelje të rënda ligjore që lidhen me procedurat e tenderave publikë.
Burime nga hetimi për mediat bëjnë me dije se ndaj tij rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera”, “korrupsion” dhe “deklarim të rremë”, të lidhura me një procedurë prokurimi të zhvilluar në spitalin e Dibrës, që kishte si objekt asgjësimin e mbetjeve.
Hetimi ndaj Tërnovës ka nisur pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili evidentoi parregullsi serioze gjatë auditimit të këtij tenderi. Sipas gjetjeve, dyshohet për ndërhyrje që cenojnë konkurrencën dhe favorizojnë subjekte të caktuara.
Emri i Tërnovës është përmendur gjithashtu edhe në dosjen hetimore të skandalit të AKSHI-t, ku ai dyshohet për lidhje me biznesmenin në arrati Ermal Beqiri. Në këtë çështje, SPAK pretendon ekzistencën e një strukture të organizuar që operonte brenda institucionit, duke ndikuar në mënyrë të paligjshme në ndarjen e tenderave publikë.
Sipas hetimeve, ky grup jo vetëm që paracaktonte fituesit e procedurave, por në raste të caktuara përdorte edhe presion apo forma të rënda intimidimi ndaj operatorëve ekonomikë. Një nga episodet më të forta lidhet me rastin e Gerond Meçes, i cili dyshohet se është detyruar të tërhiqet nga gara për tendera përmes kërcënimeve dhe veprimeve të dhunshme.
Në të njëjtën linjë hetimore, nën masën e “detyrimit për paraqitje” ndodhet edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa vijojnë verifikimet për të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike.
SPAK po thellon hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit të përfshirë dhe për të dokumentuar shkeljet e pretenduara në një prej çështjeve më të ndjeshme që lidhen me menaxhimin e tenderave në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



