E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Elbasan, autori u maskua me paruke dhe silikon
Lajme

Atentati në Elbasan, autori u maskua me paruke dhe silikon

Kush tentoi ta vriste nipin e ‘Oti Kilës’?

Atentati i ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit po hetohet si një sulm i mirëorganizuar, ku autorët duket se kanë planifikuar me detaje çdo lëvizje përpara ekzekutimit të tij.

Prokuroria e Elbasanit dyshon se tre personat e plagosur në lokal mund të mos kenë qenë objektivi kryesor i sulmit, por se shënjestra e vërtetë ka qenë nipi i Ot Kilës, një emër i njohur në historikun e përplasjeve të grupeve kriminale në qytet, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me të plagosurit.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Armand Tomorrica, Renaldo Mançe dhe Bjorgi Hoxha nuk rezultojnë të kenë pasur konflikte apo përplasje të mëparshme që mund të lidhen me një atentat të kësaj natyre. Ky fakt ka bërë që grupi hetimor të përqendrojë vëmendjen te prania e nipit të Ot Kilës në tavolinë, duke e konsideruar atë si pistën kryesore të hetimit.

Autori u maskua me paruke dhe maskë silikoni

Detaje të reja nga hetimi tregojnë se personi që hapi zjarr kishte marrë masa të veçanta për të mos u identifikuar. Në lokalin ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie, por një kamerë pranë zonës ka mundur të fiksojë momentin kur autori largohej nga vendi i atentatit.

Në pamjet e siguruara nga hetuesit, personi shfaqet me veshje të errëta, xhup dhe doreza të zeza. Për të shmangur identifikimin, ai kishte përdorur një maskë silikoni dhe një paruke me flokë të gjata, duke krijuar një pamje të ndryshme nga ajo reale.

Këto elemente janë konsideruar nga hetuesit si tregues se sulmi nuk ka qenë spontan, por një veprim i përgatitur më herët dhe me qëllim të qartë për të shmangur zbulimin e autorit.

Tre të plagosur, mes tyre edhe kamarieri

Autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku ndodheshin personat, duke lënë të plagosur tre persona, përfshirë edhe kamarierin e lokalit.

Pas të shtënave, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Gjatë arratisjes, një oficer policie jashtë shërbimit ka tentuar ta ndalojë, duke i bërë thirrje: “Ndal, policia!”.

Në momentin e largimit, autori ka hedhur armën e përdorur në atentat, e cila është gjetur dhe sekuestruar nga policia për t’iu nënshtruar ekspertizës kriminalistike.

Ekspertiza e armës mund të zbardhë autorin

Hetuesit po presin rezultatet e analizave mbi armën e sekuestruar, me shpresën se mund të gjenden gjurmë gishtërinjsh ose materiale biologjike që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit që ka kryer sulmin.

Për momentin, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një konflikti të mundshëm mes grupeve kriminale në Elbasan dhe një atentati të motivuar nga hakmarrja.

Ngjarja ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te përplasjet e hershme mes emrave të botës së krimit në këtë qytet, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur autorësinë dhe motivin e plotë të sulmit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.