Reperi i njohur goditet me gotë në mes të koncertit
Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë koncertit të reperit portorikan Hades66 në një klub nate në Palma de Mallorca, Spanjë, ku artisti u sulmua me një gotë qelqi teksa po performonte para publikut.
Pamjet, të cilat janë bërë virale në rrjetet sociale, tregojnë momentin kur gota godet reperin në fytyrë dhe copëtohet në kontakt, duke i shkaktuar plagë dhe gjakderdhje. Pas sulmit, Hades66 ndërpreu menjëherë performancën dhe zbriti nga skena në përpjekje për të identifikuar autorin.
Sipas mediave spanjolle, i dyshuari nuk u identifikua në momentin e incidentit. Megjithatë, disa orë më vonë, reperi publikoi në llogarinë e tij në Instagram disa video, ku pretendon se anëtarët e ekipit të tij kishin arritur të zbulonin personin që dyshohet se e sulmoi.
Në një nga videot e shpërndara në rrjetet sociale shihet një person i shtrirë në tokë, i cili goditet nga disa individë. Në një postim tjetër, Hades66 shfaqet me hundën e fashuar dhe i drejtohet autorit të dyshuar me një mesazh sfidues:
“Jam në Mallorca, më shkruaj në DM që të takohemi.”
Deri tani, autoritetet spanjolle nuk kanë konfirmuar nëse personi që shfaqet në videot e publikuara është i njëjti që hodhi gotën drejt artistit. Hetimet vijojnë, ndërsa rrethanat dhe motivet e incidentit mbeten ende të paqarta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



