Protesta/ Rama zbulon “armikun” e ri: Fajin e ka administrata!
Kryeministri Edi Rama ka bërë një analizë të fortë dhe autokritike mbi mënyrën se si Partia Socialiste ka komunikuar me qytetarët, duke pranuar se një pjesë e mesazheve të mazhorancës janë perceptuar si arrogante.
Gjatë një mbledhjeje të zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te rezultati i zgjedhjeve, duke e cilësuar fitoren me 83 mandate si një realitet me dy anë: një avantazh i madh politik, por edhe një barrë që rrit pritshmëritë dhe presionin nga publiku.
Ai theksoi se përplasja mes realitetit të qeverisjes dhe pritshmërive të qytetarëve shpesh është thelluar pikërisht nga mënyra e komunikimit, duke pranuar se mungesa e empatisë ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin negativ të publikut.
Në vijim, Rama u shpreh me tone të ashpra ndaj administratës dhe përfaqësuesve të PS-së, duke kritikuar sjelljen dhe mënyrën e komunikimit me qytetarët.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime të brendshme me ju, ajo fitore është mallkim aq sa bekim. Bekim sepse na dha forcën të vijojmë transformimin me mbështetjen e popullit, por mallkim spes efitoret e mëdha e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërisë së qytetarëve.
U kemi të drejtë të ankohemi pse gjykohemi, por duhet të pranojmë atë që dhemb më shumë, faktet tona shpesh nuk dëgjohen sepse përjetohen si arrogancë, jo se janë të rreme, por sepse edhe kur jepen jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë, mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati. Mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit është bërë e padurueshme, arroganca e njerëzve pa gjak që u flasin si të kenë karrige në vend të fytyrës dhe fytyrën e kanë të parkuar në vend të prapanicës, dhe këtu nuk po flas për ata që kërkojnë para,” deklaroi Rama.
Në këtë kontekst, kryeministri vuri theksin te nevoja për një reflektim të thellë brenda administratës dhe strukturave politike, duke nënvizuar se mënyra e komunikimit me qytetarët është po aq e rëndësishme sa vetë rezultatet e punës.
Deklarata e Ramës pritet të hapë debat të gjerë brenda dhe jashtë mazhorancës, veçanërisht për mënyrën se si institucionet publike ndërveprojnë me qytetarët dhe për perceptimin e përgjithshëm ndaj qeverisjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



