Joshua bën shqiponjën me Prengën në prag të duelit historik
Shqiptari sfidon legjendën e peshave të rënda
Mes atmosferës elektrizuese të krijuar nga tifozët shqiptarë në Jeddah të Arabisë Saudite, u zhvillua konferenca zyrtare për shtyp para supersfidës së peshave të rënda mes Kristjan Prengës dhe Anthony Joshua. Dueli i së shtunës është përzgjedhur si eventi kryesor i mbrëmjes dhe do të transmetohet në platformën DAZN.
Për Anthony Joshua-n, ish-kampion bote në peshat e rënda, kjo ndeshje shënon rikthimin në ring pas një mungese të gjatë. Boksieri britanik iu rikthye stërvitjes pas periudhës së vështirë që pasoi aksidentin e ndodhur në fund të vitit 2025 në Nigeri, ku humbi dy miq të tij, ndërsa vetë shpëtoi me lëndime të lehta. Joshua ka deklaruar se objektivi i tij mbetet rikthimi në majën e boksit botëror.
Në anën tjetër, për Kristjan Prengën kjo konsiderohet sfida më e rëndësishme e karrierës. Një fitore ndaj një emri si Joshua do ta vendoste shqiptarin mes pretendentëve të elitës së peshave të rënda. Edhe pse shumë analistë e shohin si jo favorit, Prenga u shfaq i bindur se mund të shkaktojë surprizën.
“Çdo boksier ka dobësitë dhe gabimet e veta në ring. I kam parë të gjitha ndeshjet e Anthony Joshua-s, sepse jam rritur duke e ndjekur. Ai është një nga boksierët më të mëdhenj, një legjendë, por unë i njoh dobësitë e tij dhe do t’ia tregoj të shtunën”, deklaroi Prenga.
Joshua, nga ana e tij, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin shqiptar dhe theksoi se nuk e ka nënvlerësuar në asnjë moment. Ai kujtoi se bilanci prej 20 fitoresh në 21 ndeshje si profesionist flet vetë për cilësitë e Prengës.
“Është një boksier shumë i mirë dhe shumë i rrezikshëm, e them me bindje. E njoh, e kam studiuar dhe jam gati të përballem me të. Kam luftuar kundër më të mirëve, më të shpejtëve, më teknikëve dhe shumë kampionëve. Të shtunën do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Joshua.
I pyetur për një përballje të mundshme me Tyson Fury-n, britaniku refuzoi të komentonte, duke theksuar se i gjithë fokusi i tij është te ndeshja me Prengën.
“Jo, jo dhe jo. Sot nuk do të flasim për Tyson Fury-n, por për kundërshtarin që kam përballë. Nuk mund të flas për të ardhmen pa respektuar fillimisht këtë skuadër dhe këtë ndeshje”, tha Joshua.
Një nga momentet më të veçanta të konferencës erdhi në fund, gjatë pozimit tradicional “face-off”. Anthony Joshua iu afrua Kristjan Prengës dhe, në një gjest miqësor, të dy formuan me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, një moment që u prit me ovacione nga tifozët shqiptarë të pranishëm në sallë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



