E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denis Tafili sfidon SPAK-un, AMP nis hetimet për policin e përfshirë në sherr
Lajme

Denis Tafili sfidon SPAK-un, AMP nis hetimet për policin e përfshirë në sherr

Një incident i rëndë është regjistruar këtë të enjte në Shkallnur të Durrësit, ku në një konflikt me sende të forta dhe të shtëna me armë dyshohet se është përfshirë edhe Denis Tafili, person i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të Visit të Pojës.

Sipas informacioneve paraprake, Tafili është përplasur me shtetasin Edison Gjuzi, ndërsa në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie jashtë shërbimit. Burimet bëjnë me dije se, paradoksalisht, Tafili dyshohet se ka ndërhyrë në mbështetje të efektivit gjatë përplasjes me Gjuzin.

Policia e Durrësit njoftoi se rreth orës 15:00 është sinjalizuar për një konflikt në fshatin Shkallnur. Sipas hetimeve paraprake, Edison Gjuzi, 36 vjeç, është goditur me sende të forta, konkretisht me qytën e një pistolete, nga Denis Tafili, 41 vjeç, dhe G. M., 27 vjeç. Pas ngjarjes, të dy janë larguar me automjet.

Në vendngjarje, grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë pistolete, ndërsa dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri.

Në ngjarje është përfshirë edhe inspektori i Policisë me inicialet L. Xh., i cili ndodhej jashtë shërbimit. Ai është shoqëruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila po kryen veprimet procedurale për të sqaruar rolin e tij në konflikt.

Pas incidentit, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kërkimet për kapjen e autorëve.

Denis Tafili është një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Në maj të këtij viti, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet ndaj grupit kriminal të Elvis Doçit, ku Tafili rezulton pjesë e strukturës.

Ndaj anëtarëve të këtij grupi rëndojnë akuza për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 4 milionë euro cash dhe pasuri me vlerë mbi 12 milionë euro, përfshirë kompani ndërtimi, restorante, një agjenci imobiliare, një televizion në Vlorë, si edhe apartamente, kompani, llogari bankare dhe automjete në Itali.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.