Zjarri në Postribë me bilanc tragjik, humb jetën nëna me dy fëmijët e mitur
Një ngjarje tragjike ka goditur zonën e Postribës në Shkodër, ku një nënë e re dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në fshatin Domen.
Sipas të dhënave paraprake, flakët kanë shpërthyer papritur në banesë, ndërsa viktimat ndodheshin brenda. Pas ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës dhe kërkimeve në terren, u gjetën trupat e pajetë të nënës dhe dy fëmijëve, duke konfirmuar një bilanc tragjik.
Viktima është identifikuar si Bleona Çelaj, 24 vjeçe, ndërsa fëmijët e saj ishin vetëm 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. Mësohet se e reja kishte shkuar së bashku me fëmijët në banesën e prindërve në Domen për ta pastruar, moment kur dyshohet se ka rënë zjarri.
Terreni i vështirë dhe izolimi i zonës kanë ndikuar drejtpërdrejt në vonesën e ndërhyrjes. Banesa ndodhej rreth 30 minuta larg nga rruga më e afërt për automjete, çka e bëri të pamundur reagimin në kohë të forcave zjarrfikëse. Kur ekipet mbërritën në vendngjarje, shtëpia ishte shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, pakujdesi apo faktorë të tjerë që mund të kenë çuar në këtë tragjedi të rëndë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa pritet që ekspertiza përfundimtare të hedhë dritë mbi rrethanat e plota të kësaj fatkeqësie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



