Greqia përballet me “ferrin”, zjarret po bëjnë “kërdinë”
Mbi 70 vatra zjarri, erërat e forta paralizojnë ndërhyrjen nga ajri
Greqia po përballet me një situatë kritike nga zjarret masive që kanë përfshirë dhjetëra zona në të gjithë vendin, ndërsa mbi 70 vatra aktive vijojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të erërave të forta.
Rajonet më të prekura ndodhen rreth 60 kilometra në perëndim të Athinës, ku re të mëdha tymi janë të dukshme në distancë. Flakët kanë avancuar deri pranë vijës bregdetare, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe infrastrukturë.
Autoritetet bëjnë të ditur se kushtet e motit po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen. Erërat që arrijnë deri në 130 kilometra në orë kanë detyruar pezullimin e operacioneve ajrore, pasi avionët zjarrfikës nuk mund të furnizohen me ujë.
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve, mbi 300 zjarrfikës janë angazhuar në terren, veçanërisht në zonën e Porto Germenos, ku raportohen dëme të mëdha materiale dhe dhjetëra banesa të shkatërruara.
Situata mbetet alarmante edhe në pjesë të tjera të vendit. Në ishullin e Kretës, mijëra hektarë tokë janë përfshirë nga zjarret, ndërsa bilanci tragjik përfshin edhe humbje jete mes forcave zjarrfikëse.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë për pasoja të rënda afatgjata, duke e cilësuar dëmin ekologjik si ndër më të rëndët e viteve të fundit. Ndërkohë, autoritetet vendase vijojnë të bëjnë thirrje për vigjilencë dhe evakuime në zonat me rrezik të lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



