GJKKO dënon 28 persona për trafik emigrantësh me 155 vite burg
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë një vendim të fortë ndaj një grupi të strukturuar kriminal, duke dënuar në total me 155 vite burg 28 të pandehur të shpallur fajtorë për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Atalanda Zeqiraj, pas hetimeve të thelluara të zhvilluara nga SPAK.
Sipas dosjes hetimore, gjatë viteve 2022–2024, grupi kishte ndërtuar një skemë të mirëorganizuar për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja. Aktiviteti kryhej kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 10 mijë euro për person, të cilat zakonisht paguheshin pasi mbërrinin në destinacion.
Rrjeti siguronte dokumente të falsifikuara dhe përdorte rrugë të ndryshme transporti – tokësore, ajrore dhe detare – për të kaluar shtetasit shqiptarë drejt vendeve të synuara. Një rol kyç në këtë skemë kishin agjencitë e udhëtimit “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilat bashkëpunonin mes tyre për realizimin e transportit dhe shpërndarjen e dokumenteve.
Skema funksiononte në disa faza: emigrantët largoheshin fillimisht nga Shqipëria me dokumentet e tyre të rregullta drejt vendeve të zonës Schengen. Më pas, gjatë qëndrimit në Spanjë, atyre u dërgoheshin dokumentet e falsifikuara nëpër hotele, përmes të cilave vijonin udhëtimin drejt Anglisë dhe Irlandës, kryesisht për arsye ekonomike ose bashkim familjar.
Hetimet zbuluan gjithashtu ekzistencën e një laboratori të mirëfilltë në Tiranë, ku prodhoheshin dokumentet false. Ambienti ishte i pajisur me kompjuterë, printera dhe materiale të posaçme, ndërsa u sekuestruan 37 vula të institucioneve shtetërore dhe private, të përdorura për falsifikime të ndryshme, përfshirë aplikime për viza, si dhe shuma të konsiderueshme parash.
Një nga personat e përfshirë në këtë aktivitet ishte edhe Ylli Ibrahimaj, i cili, pavarësisht se ndodhej në arrest shtëpie, vijonte prodhimin e dokumenteve të falsifikuara nga banesa, së bashku me të birin, duke e kthyer atë në një laborator funksional.
Operacioni dhe vendimi i GJKKO konsiderohen një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve të trafikimit të emigrantëve, që prej vitesh shfrytëzojnë rrugë të sofistikuara për të kaluar ilegalisht qytetarë shqiptarë drejt vendeve perëndimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



