Vdekja e minatorit në Bulqizë, arrestohet 63-vjeçari
Një arrestim është kryer ditën e sotme në Bulqizë në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën një minatori 40-vjeçar. Në pranga ka rënë drejtuesi teknik i subjektit minerar ku ndodhi ngjarja, i dyshuar për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
Sipas Policisë, 63-vjeçari me inicialet P. K., banues në fshatin Vajkal, është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë. Nga hetimet paraprake rezulton se, në cilësinë e drejtuesit teknik, ai nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të mbrojtjes në punë, çka dyshohet se çoi në aksidentin fatal.
Ngjarja ka ndodhur më 1 gusht 2026, ku si pasojë e shkeljeve të dyshuara humbi jetën minatori Ilir Koloveri, 40 vjeç. Rasti ka tronditur zonën, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



