Atentati i parandaluar në Sarandë, identifikohen dy të arrestuarit:
U kapën pranë banesës së Rexhep Ismailit duke kontrolluar armët
Zbardhen identitetet e dy personave të arrestuar në kuadër të atentatit të parandaluar në fshatin Gjashtë të Sarandës. Bëhet fjalë për Sidorel Morisenin, 32 vjeç, dhe Alfred Kajën, 26 vjeç, të cilët dyshohen se po përgatiteshin për një ngjarje të rëndë kriminale.
Sipas burimeve, Moriseni dhe Kaja lëviznin me dy automjete të ndryshme dhe u arrestuan nga policia në momentin kur kishin ndaluar në një rrugicë dhe po kontrollonin armët që mbanin me vete.
Ata u kapën pranë banesës së Rexhep Ismailit, i cili u ekzekutua në muajin maj të këtij viti në lokalin e tij në zonën e Qafë Gjashtës. Hetuesit po verifikojnë nëse prania e tyre në atë zonë lidhej me përgatitjen e një atentati të ri apo me motive të tjera kriminale.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se deri tani dy të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime para hetuesve. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



